Tuesday, July 15, 2008

Alberti, djaloshi që u sakrifikua për një jetë më të mirë

Dr. Alban Daci


Kush ishte Albert Kolgjegja?

Alberti u lind më 03.05.1973 në Lurë të Dibrës që në hapat e para të fëmijërisë së tij tregoj një zgjuarsi të veçantë natyrore duke marrë rezultate të shkëlqyera në shkollë. Mes mundimeve dhe varfërisë ekonomike që po kalonte jo vetëm familja e tij, por e gjithë zona, arriti të mbaronte po në Lurë me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme. Kishte shumë dëshirë që të fillonte studimet e larta, po për shkak të kushteve ekonomike u detyruar të merrte rrugën e mërgimit. Alberti emigroj drejt Greqisë , ku udhëtoj ditë e natë në këmbë, duke kaluar mes lumenjve dhe maleve të larta, me shpresën se do të gjente një jetë më të mirë në vendin fqinj, që do të kishte një punë të ndershme për të fituar ca lekë që do t’i dërgonte tek familja e tij në Shqipëri.
Alberti, falë vullnetit të tij si dhe këmbënguljes për një jetë më të mirë, të cilën gjithmonë e kishte kërkuar, jo vetëm arriti në vendin fqinj, por me zgjuarsinë e tij natyrore si dhe me sjelljen e tij shembullore u integrua shumë shpejt në jetën shoqërore të Greqisë, duke fituar respekt nga banorët dhe punëdhënësit. Ai filloj të punonte si elektricist, ku falë aftësive të larta profesionale që shprehu në ushtrimin e profesionit ju dha dhe titull "mjeshtër elektriku".

Alberti dhe familja e tij

Alberti kishte marrëdhënie shumë të mirë me gjashtë motrat, por një lidhje më të veçantë shpirtërore kishte më vëllaun Ilrianin, sepse nuk kishin as diferencë të madhe moshe. Babai i Albertit ka punuar si ndihmësmjek, ku ju ka shërbyer me përkushtim banorëve të zonës së tij, sepse ai e respektonte jetën dhe e shikonte atë si gjënë më të shtrenjtë dhe me të bukur që njeriu ka, kurse nëna shtëpiake.
Lidhja e fortë shpirtëror me Ilirianin bën që të bëj të pamundurën për ta pasur pranë edhe në Greqi, sepse gjithmonë kishin qenë bashkë dhe nuk mund të rrinin pa njëri-tjetrin. Kështu që edhe Iliriani për të dhënë kontributin e tij në familje si dhe dashuria e madhe për të qenë më vëllaun e tij, vendos që të emigroj duke udhëtuar drejt vendit fqinj Greqisë.
Iliriani edhe përse pati ndihmën e Albertit, për shkak të burokracive nuk arriti të siguronte dokumentet e qëndrimit. Prandaj vendosi të lërë Greqinë dhe të udhëtoj drejt Italisë, ku stabilizohet në qytetin e Xhenovës. Këtu fillon të punoj si të gjithë shqiptarët e tjerë në sektorin e ndërtimin, duke punuar me orë të gjata. Ndarja me Albertin nuk ishte e lehtë për të, sepse çdo moment të jetës e kishin përjetuar bashkë, duke i qëndruar pranë njëri-tjetrit jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht. Megjithatë, para se Iliriani të largohej të dy u zotuan që do të bënin gjithçka për të qenë përsëri dhe gjithmonë bashkë.

Alberti dhe qyteti i Xhenovës

Pasi stabilizohet Iliriani me punë në rregulla këtu në Xhenova, vendos të tërheq dhe Albertin. Kështu Alberti në vitin 2000 vendos të lërë Greqinë dhe të transferohet në qytetin e Xhenovës në Itali.
Sapo vjen në Xhenova fillon menjëherë të punoj, sepse ishte njeri që gjithmonë e donte punën. Si shqiptarët e tjerë edhe Alberti fillon të punoj në ndërtim, pasi është sektori i vetëm, ku mund të gjendet punë kollaj dhe mund të fitohet mirë dhe me ndershmëri. Hapat e para në Xhenova, nuk ishin të lehta për të, sepse po përballej më një mentalitet të ri dhe të ndryshëm nga ai i Greqisë. Nuk arrin të gjej një punë fikse dhe kështu i duhet shumë herë që të kërkoj punë dhe të ndërroj sipërmarrësit e punës. Nuk reshti së kërkuari punë derisa pas kërkimeve të shumta dhe të lodhshme arriti të siguroj punë në një sipërmarrje ndërtimi, e cila po rikostruktonte ndërtesën e muzeut të "Detit".

8 nëntor 2003 shuhet ëndrra e Albertit

Në një ditë vjeshte me shi ashtu siç kishte bërë çdo ditë, Alberti zgjohet herët në mëngjes për të shkuar në punë, pa e ditur se ajo do të ishte dita e fundit që do të punonte. Pasi pi kafen e mëngjesit me shokët e punës, vesh rrobat e punës dhe ngjitet në skele për të filluar punën. Pa ditur se pikërisht ato skele do ti merrnin jetën dhe do i shkatërron të gjitha ëndrrat që kishte projektuar për të ardhmen e ti dhe të familjes.
Papritur skelet ku po punonte Alberti, rrëzohen duke e zënë poshtë. Kalon disa orë poshtë hekurishteve të skelës, duke rënkuar nga dhimbja që i kishte gllabëruar trupin dhe shpirtin. Alberti si një piedestal i Rinisë shqiptarë që shpresoj dhe luftoj për jetën, në orët e vona të asaj nate te ftohtë, u nda kjo botë e mundimshme për të cilën kishte dhënë dhe sakrifikuar gjithçka dhe që nuk kishte marrë asgjë.
Vdekja e tij ishte lajm i hidhur jo vetëm për familjen dhe të afërmit e tij, por edhe për shokët, për ata që e kishin takuar qoftë edhe një herë, për të gjitha familjet shqiptare, ku bijtë e tyre emigrojnë jashtë në kushte që lenë për të dëshiruar duke sakrifikuar edhe jetën, sepse nuk durojnë dot mjerimin që përjetojnë në vendin e tyre.

Ëndrrat që nuk u realizuan kurrë

Alberti fliste shumë mirë gjuhën angleze, të cilën e kishte studiuar vetë me libra dhe disa herë kishte biseduar me vëllaun e tij Ilirianin se: një ditë do të ktheheshin në Shqipëri për të investuar në ndonjë aktivitet privat ato pak para që i fitoni me lodhje dhe djersë të ndershme. Gjithashtu një ndër qëllimet kryesore të tija ishte që të fillonte dhe të kryente studimet e larta. Arsimin gjithmonë e kishte pasur për zemër, por për arsye ekonomike nuk kishte mundur të shkonte më larg se arsimi i mesëm.
Ai ëndërronte që një ditë të bënte familjen e tij dhe të ishte një baba i devotshëm. Jo shumë kohë para se të ndodhte aksidenti, ku humbi dhe jetën në moshën 30 vjeçare, ishte fejuar.
Të gjitha ëndrrat e tij mbeten të pa realizuara, sepse humbi jetën në lulen e rinisë, humbi jetën për shpresën, u sakrifikua për mirëqenien, ra dëshmorë për punën. Alberti, duhet kujtuar, sepse ai simbolizon realitetin e emigracionit shqiptar, dhimbjen e shumë familjeve shqiptare, të cilat kanë humbur njerëzit më të dashur në kulmin e rinisë. Simbolizon tranzicionin shqiptar, i cili me sa duket nuk ka ndërmend të mbaroj.

Alberti simboli i emigracionit shqiptar

Alberti, ishte njeri i mire që kishte marrëdhënie të mira me miqtë dhe shokët e punës, ishte shembull për tu ndjekur nga të gjithë emigrantet. Ai si çdo kush tjetër kishte ëndrra dhe projekte për të ardhmen: ëndërronte që një ditë të kthehej në Shqipëri, të krijonte familje, të kishte fëmijë…me pak fjalë të ishte i lumtur duke bërë një jetë normale. Fatkeqësisht ëndrrat u shuan pikërisht në një ditë me shi duke rindërtuar muzeun e "Detit" në qytetin e Xhenovës. Nga ai moment ky muze është simbol jo vetëm i punëtorëve shqiptare por i jetës njerëzore, ku themelet e tij janë të gjakosura me gjakun e një djaloshi shqiptarë që u sakrifikua për një jetë me të mirë.

Friday, July 11, 2008

Ëndrra universitare sa afër dhe larg

Dr. Alban Daci

Sapo u mbyll ky vit akademik për maturantët shqiptar, ku një pjesë e mirë e tyre tani kanë objektiv kryesor fillimin e jetës universitar, frekuentimin e auditorëve dhe bibliotekave për të thelluar njohurit e tyre për profesionet që duan të ushtrojnë në të ardhmen.
Të rinjtë e zonave urbane mund të themi që janë përgatitur gjatë gjithë periudhës së gjimnazit për të pasur një rezultat maksimal në provat e pranimit për të hyrë në universitete. Kjo përgatitje konsiston nga një përgatitje sistematike gjatë katër viteve të gjimnazit, e cila në vitet e fundit është shoqëruar edhe me frekuentimin e kurseve private në lëndë të veçanta që mund të korrespondojnë me orientimin e programit universitar që kanë dëshirë të ndjekin.
Po në zonat e thella veriore kush është panorama që na ofrohet në objektivin tonë?
Panorama është aq shumë e trishtueshme sa duhet të alarmohemi, sepse sistemi arsimor në këto zona është në një degradim të thellë. Në vitet e fundit mund të themi me siguri, e cila në çdo moment mund të jetë e verifikueshme, që prodhohet një numër në rritje analfabetësh dhe injorantësh. Me pak fjalë nëse vazhdohet kështu shumë shpejt këto zona të Shqipërisë do i gllabëroj jo vetëm mjerimi që gjithmonë ka qenë i pranishëm, por edhe injoranca.
Në shumë zona të thella të Shqipërisë, shkollat ku mund të mësohet mungojnë fare ose janë me orë të tëra larg, ku mungesa e infrastrukturës rrugore, e mjeteve të transportit bëjnë që frekuentimi i orëve të mësimit të mbetet më shumë në ëndrrat e nxënësve, se sa në realitetin e përditshëm të tyre. Kjo situatë e krijuar ka detyruar shumë fëmijë arsimdashës që edhe pse e kanë shumë në zemër shkollën, ta braktisën atë duke mbetur të lënduar thellë në shpirtin e tyre të brishtë dhe të pafajshëm.
Megjithatë disa të tjerë të nxitur edhe nga prindërit e tyre si dhe nga dëshira e tyre personale vendosin të sakrifikojnë orë të tëra rruge në këmbe, duke sfiduar kushtet klimatike dhe gjeografike malore me qëllimin e vetëm që një ditë të arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre profesionale dhe akademike.
Problemet dhe hallet e tyre nuk mbarojnë kurrë, edhe pse mes mundimeve që shkojnë jashtë logjikës së perceptimit në kohërat moderne, arrijnë të vazhdojnë dhe të mbarojnë studimin e mesëm, i cili është i karakterizuar nga një nivel pedagogjik jo vetëm që le për të dëshiruar, por është edhe qesharak me komponentët e tij akademik.
Mjafton të përmendim që në një pjesë të konsiderueshme të shkollave të mesme në zonat veriore të Shqipëri kemi pseudomësues pa arsimim përkatës që japin mësim dhe që marrin përgjegjësitë mbi supe për të përgatitur brezin e ardhshëm. Nuk mungojnë rastet, ku dikush që pak vite më parë ka mbaruar me nota kaluese shkollën e mesme dhe tani jep mësim po në gjimnaz. Kemi edhe raste të tjera, ku ndonjë mësues me arsim përkatës nuk ka përgjegjësi për profesionin dhe funksionin që ka, ku me papërgjegjshmërinë më të madhe e kalon kohën duke pirë raki në bar se sa duke dhënë mësim në klasë.
Kjo është panorama e arsimit që prodhohet në këto zona që çdo ditë e më shumë largohen nga bota e kulturës moderne, sepse nuk kanë asgjë të përbashkët me bashkëmoshatarët e tyre në botë, për veç faktit që kanë ardhur në këtë botë dhe janë qenie që luftojnë mes shpresës dhe dëshpërimit për të konsumuar vitet e jetës që ju ka dhuruar zoti dhe natyra.
Dua të bëj dhe një lidhje krahasuese me sistemin e fundit që ka aplikuar Ministria e Arsimit për tu pranuar në universitet, të bazuar në meritë, preferencë dhe realitetin e situatës së nivelit arsimor në këto zona. Ky sistem në teorinë shpjeguese është mjaft i drejtë, por në realitetin aplikues në terren do të thoja është një dështim i radhës, sepse preferenca e shumë nxënësve që përshkruam më sipër kanë pak shanse të jenë të realizueshme. Pse ndodh kjo? Sepse, si mund të arrij të marr pikët e nevojshme në provimet e maturës dhe lëndëve me zgjedhje një nxënës që mësohet nga një pseudomësues më arsim po të mesëm dhe me mesatare të ulët, apo nga një mësues me arsim përkatës që preferon më mirë të kaloj kohën në bar duke pirë se sa të bëj detyrën e tij si mësues që duhet jo vetëm të jetë i pranishëm në klasë, por të përkushtohet për të dhënë mësim me profesionalizëm të lartë akademik.
Sa mundësi ka një nxënës që sapo ka mbaruar shkollën e mesme në një degradim të tillë arsimor, të arrij të kaloj me rezultate konkurrente provimet e hartuara nga profesionalistët e lartë në Tiranë, të cilët pa marrë parasysh realitetin, mendojnë se edhe këta si shokët e tyre të shkollave të Tiranës, kanë pasur jo vetëm mësues me nivel të lartë profesional, por që kanë ndjekur edhe kurse private.
Car mund ti thuash një maturanteje që sapo ka mbaruar maturën dhe qan çdo ditë, sepse ka marrë katër në provimin e matematikës?
Ti e meriton katrën, sepse nuk ke mësuar, kur në të vërtet ajo gjithmonë ka qenë kërkuese ndaj vetes, por që mësuesi që i jepte mësimin e matematikës kishte mbaruar vetëm pak vite më parë shkollën e agronomisë më mesatare të dobët dhe që nuk kupton asgjë nga lënda e matematikës.
Car duhet ti thonë prindërit vajzës së dëshpëruar që të pushoj së qari? Ti thonë se: ti bija jonë nuk mund të shkosh në universitet edhe pse gjithmonë ke menduar dhe ke dashur që një ditë të jesh një studente e zonja.
Car përgjigje argumentuese mund ti jap Ministria e Arsimit? Na vjen keq, por ti nuk arrite të bëje testin e provimit që kemi hartuar ne në mos përputhje me realitetin, ku ti je përpjekur të shkollohesh. Apo ti thotë na vjen keq se ti ke preferenca për të vazhduar shkollën, por nuk ke merita, edhe pse ne si Ministri nuk kemi bërë asgjë konkrete për të krijuar mundësi bashkohore mësimdhënëse, ku dhe ti të ndjeheshe e barabarte me fëmijët e tjerë të privilegjuar në kushte dhe rrethana.
Notën katër nuk e meriton maturantja fatkeqe që ka lindur në një zonë ku mungon gjithçka që nga mënyra e jetesës deri tek aspiratat e mundshme për një të ardhme te ndryshme nga ajo që përjeton çdo ditë, por Ministria e Arsimit bashkë me drejtoritë e saja që nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Nëse nuk veprohet shpejt me politika konkrete në këto zona malore në një të ardhme të afërt do të kemi një realitetit tepër të hidhur, ku injoranca do të gllabëroj jetën e përditshme shoqërore.
Ministria e Arsimimit duhet të inkurajoj të rinjtë e sapo diplomuar për mësuesi të shkojnë në këto zona të thella për të dhënë mësim. Ky inkurajim mund të bëhet duke ju rritur rrogat në bazë të distancave që kryejnë për të shkuar në shkolla, ku duhet të zhvillojnë orët e mësimit me profesionalizëm të lartë për të transportuar me dashuri dituritë tek breza e ardhshëm. Gjithashtu duhet të garantoj mjete të posaçme transporti për mësuesit dhe nxënësit që t’iu shkurtoj distancat dhe rraskapitjet fizike. Vendosja e një sistemi të tillë transporti do të rriste dëshirën arsimdashëse tek fëmijët e këtyre zonave.
Çdo reformë që thjeshtë importohet nga vendet e tjera, por që nuk përshtaten me realitetin tonë kulturor, ekonomik, dhe social është e destinuar për të dështuar ashtu siç ka ndodhur deri tani. Reformat nuk duhet të bëhen sipas kriterit vertikal, por edhe atij horizontal. Kjo do të thotë se nuk mund të bëjmë reformën universitare të aplikimit dhe atë të zhvillimit sipas Kartës së Bolonjës, ku nivelet e tjera të arsimit mund të jenë në nivele gjithmonë e më shumë degraduese si ato që përmendëm më sipër.
Nëse vazhdon të zhvillohet me këtë ritëm situata e papranueshme arsimore në këto zona, atëherë ëndrrat universitare të maturantes që ka marrë katër në matematike dhe bashkëmoshatarëve të saj që jetojnë në një atmosferë të tillë dëshpëruese janë afër sepse i takojnë çdo ditë në mendjet e tyre në formën e imazheve virtuale, por janë shumë larg në realitet duke mbetur vetëm ëndrra.
Nëse nuk sigurojmë një sistem arsimor të shëndosh, rrezikojmë të kemi një Rini mediokre dhe për rrjedhojë një të ardhme dëshpëruese dhe shqetësuese. Rinia përbën të ardhmen e çdo kombi, nëse ne nuk kujdesimi për të, rrezikojmë të mos të kemi të ardhme.

Monday, July 7, 2008

“Real Durazzo” është skuadra e parë shqiptare e futbollit në Xhenova


Me datë 3 korrik 2008 u realizua nga “Komiteti Kombëtar Kolombo”, edicioni i dytë i turneut të futbollit për solidaritet “Kristofor Kolombo”.
Në këtë turne për herë të parë mori pjesë dhe një skuadër shqiptare që u emërtua “Real Durazzo”, e cila u formua nga të rinj shqiptar që jetojnë në qytetin e Xhenovës.
Kjo u realizua falë punës së Dr. Alban Daci, Delegat i “Komitetit Kombëtar Kolombo” për Shqipërinë si dhe nga mbështetja personale e Dr. Bruno Aloi, President i “Komitetit Kombëtar Kolombo”.
Kur, u paraqit skuadra shqiptare “Real Durazzo” në fushën e gjelbër të Lagaços u shoqërua me himnin tonë kombëtar shqiptar. Në hapjen e këtij evenimenti solidariteti, ishte i pranishëm edhe Konsulli Shqiptar në Monako, Marchese Giuseppe Maria Durazzo, i cili falënderoj në mënyrë të veçantë Dr. Alban Daci për punën e mrekullueshme që po bën për komunitetin shqiptar në Liguria si dhe për prezantimin e një skuadre shqiptare që mbart emrin e familjes me origjine shqiptare që erdhi si skllave dhe bëri dinasti në qytetin e Xhenovës.
Në fjalimin e tij Dr. Alban Daci, ndër të tjera theksoj: se prania e skuadrës shqiptare tregon se shqiptarët janë të integruar si në ekonomi, kulturë, dhe falë iniciativës së fundit edhe në sport në qytetin e Xhenovës.