Thursday, May 20, 2010

Lindja e ideologjisë federaliste


Dr. Alban Daci

Federalizmi modern lind, në epokën e revolucioneve të mëdhenj të shtatëqindtës (amerikan, francez), thelbësisht si kundërshti e doktrinës që rrjedh që nga Bodin dhe Hobbes, të sovranitetit absolut të shtetit. Bobbio ka nënvizuar, se procesi i ndërtimit të shtetit federal është proces i anasjelltë në respekt me atë që ka sjellë formimin e shtetit nacional dhe sovranitetin absolut. Ky, në fakt, është ndërtuar, duke u nisur që nga fillimi i Mesjetës, duke u çliruar si nga limitet e brendshme të përfaqësuara nga pushtetet ndërshtetërore tipike të shoqërisë feudale, si edhe nga limitet e jashtme, të caktuara nga ekzistenca e institucioneve politike universale (papati, perandoria). Shteti federal, në të kundër, lind nga limitimi i sovranitetit shtetëror përbrenda (decentralizim i pushtetit për të realizuar një demokraci më të plotë) dhe nga jashtë (krijimi i një komuniteti politik mbishtetëror për të realizuar paqen). Carlo Cattaneo nënvizon këtë valencë të dyfishtë të federalizmit. Ai, në fakt, nga njëra anë e konsideron federalizmin «teori të lirisë» dhe shikon tek Shtetet e Bashkuara të Italisë, të vetmen zgjidhe të betejës për bashkimin kombëtar të aftë për të garantuar një demokraci efektive; nga ana tjetër afirmon në mënyrë absolute se «do të kemi paqe të vërtetë, kur do të kemi Shtetet e Bashkuara të Evropës».
Mendimi politik federalist është zhvilluar, duke u nisur nga fundi i shekullit të XVIII-të, mbi bazën e këtyre themeleve kryesore. Megjithatë, duhet të theksojmë se, deri në Luftën e Dytë Botërore, federalizmi nuk kishte marrë fizionominë e një ideologjie, pra e një sistemi me besime i aftë për të orientuar në mënyrë globale sjelljet politike. Në fakt, në eksponentët e parë të tij mungonte një vizion autonom i qëllimit federalist, përderisa ky i fundit dukej në mënyrë thelbësore i varur pikërisht nga objektivat e ideologjisë, ku herë pas herë mbështetej nga autor të veçantë, si për shembull liberalizmi dhe socializmi. Federalizmi ishte konsideruar thjeshtë një teknikë e organizmit të pushtetit, i dobishëm për realizimin e objektivave si një shoqëri me demokratike ose një rend socialist, por i paaftë për t’i dhënë jetë një projekti politik autonom. Në këtë fazë nuk ekzistonte një teori organike dhe koherente e federalizmit, pikërisht me një vizion të realitetit dhe të procesit historik: nuk mund të flitet as për një program konkret politik, me indikacionin e fazave të ndryshme të betejës federaliste, identifikimin e forcave politike dhe sociale të afta për të mbështetur dhe përcaktimi i linjave organizative themelore të një lëvizje federaliste.
E gjitha kjo duket evidente në mendimin politik të atij që është konsideruar universalisht themeluesi i teorisë së shtetit federal: Alexander Hamilton. Siç është theksuar, tek The Federalist, autori amerikan mbështet aprovimin e kushtetutës të hartuar tek Konventa e Filadelfias në 1787. Me orientim liberal, ai shikonte tek kushtetuta e parë federale e historisë një instrument të përshtatshëm për të realizuar pikërisht vizionet politike, si në planin politiko-institucional ashtu edhe në planin ekonomik. Mbi planin politik, kushtetuta federale, duke krijuar dy nivele të ndryshme të qeverisë, federale dhe shtetërore, ku secili i pajisur me sferë autonome kompetencash, përforconte garancitë e lirisë për qytetarët. Ajo i bashkëngjiste ndarjes funksionale të pushtetit të shtetit (legjislativ, ekzekutiv, gjygjsor) një ndarje territoriale të pushtetit politik. Gjithashtu, duke bashkuar ish trembëdhjetë kolonitë britanike në një autoritet të vetëm politik me kompetenca ekskluzive mbi mbrojtjen ushtarake, kushtetuta e re e bënte të pamundur përsëritjen në Amerikë të atij konflikti të vazhdueshëm ndërshtetëror, që ekzistonte në Evropë. Përderisa, sipas Hamilton, përqendrimi dhe autoritarizmi i shteteve evropiane varej në pjesën më të madhe pikërisht nga nevoja për të përballuar kërcënimet e vazhdueshme të luftës, bashkimi i gjithë kontinentit Verior-Amerikan nën një autoritet të vetëm shtetëror ndërtonte një garanci jo vetëm për paqen, por edhe për lirinë. Pastaj, mbi planin ekonomik, krijimi i një monedhe të vetme, heqja e doganave dhe vendosja e lirë e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve mes shteteve anëtare, garancia e paqes mes tyre, përfaqësonin instrumente të përshtatshme për të realizuar principet e lirisë së shkëmbimit. Hamilton e konsideronte kushtetutën e vitit 1787-të një instrument të aftë për nevojat institucionale të shtetit të ri amerikan, por nuk mendonte se, principet e tij do të kishin një ndikim universal. Duhet të nënvizojmë, se në epokën e Hamilton-it dhe akoma për gjithë shekullin e XIX-të, kushtet historike nuk lejonin perceptimin e idesë së bashkimit evropian si një projekt politik konkret. Dimensionet e jetës ekonomike, sociale dhe kulturore ishin, në fakt, të limituara vetëm në hapësirën nacionale, sepse niveli i zhvillimit të forcave të prodhimit, mjeteve të transportit dhe të komunikacionit nuk lejonin një integrim mbi baza më të gjera hapësinore. Prandaj, ideja e Bashkimit të Evropës nuk ishte shumë i përhapur dhe popullor. E gjitha kjo shpjegon karakterin utopik të federalizmit evropian në Tetëqindtën. Ideja e bashkimit evropian paraqitej në mënyrë thelbësore si një instancë e arsyes, një ide morale e kultivuar nga pak, intelektual të izoluar, sesa si një program konkret i aftë për të bashkuar forca të gjera në një lëvizje politike. Ato pak autorë që fusnin bashkimin evropian në projektet e tyre politike shumë herë tregonin. se kishin një informacion të pamjaftueshëm mbi nevojat e institucioneve federale. Është rasti i Saint-Simon dhe Thierry, me projektet e tyre për të riorganizuar shoqërinë evropiane, ose Mazzini, me idenë e tij të bashkimit evropian si koronizim i procesit të emancipimit të nacioneve evropiane. Gjithashtu edhe britaniku John Robert Seeley, dimostronte, si kur propozonte të aplikonte federalizmin për të realizuar Evropën e bashkuar, ashtu edhe kur hipotizonte transformimin e Perandorisë Britanike në shtet federal, se i njihte mirë mekanizmat e shtetit federal, por që nuk arriti t’i përkthente idetë e tij në një propozim të mirëfilltë për të realizuar një program me një aksion politik. Në fillim të Tetëqindtës, federalizmi konservonte një instrument në respekt me vizionet e tjera politike. Tek mendimet e austromarksistëve, si ai i Karl Kautsky-it, i Lev Trockij dhe e Barbara Wootton, Federalizmi Evropian paraqitej një kusht i domosdoshëm për realizimin e socializmit. Limitet liberale të federalizmit evropian të Lugi Einaudi-t janë nxjerrë në mënyrë efikase në dritë nga Dino Francesco. Nëse është e vërtetë, në fakt, se mendimtari piemontez, në mënyrë konformë me teorinë federaliste, identifikonte tek sovraniteti absolut i shteteve shkakun e luftërave, nuk mungojnë megjithatë hapat që tentojnë të realizojnë një përhapje të metodave dhe të vlerave liberale tek raportet ndërkombëtare. Për shembull, është rasti, i lidhjes që Enaudi gjente mes interesave tregtare të borgjezisë dhe të idesë së paqes: «Shoqëritë borgjeze, tregtare, industriale, janë paqësore». Por, me të drejtë thekson Confrancesco, në këtë mënyrë instanca federaliste nuk justifikon më nevojën për t’i vënë një pengesë instinktit luftarak të shteteve që, në një situatë të anarkisë ndërkombëtare, manifestohet në mënyrë të paevitueshme, kushdo qoftë regjimi i tyre. Ajo është e lidhur tek nevoja për të mbrojtur shtetet liberale (paqësore), nga agresiviteti i jo liberalëve (jo paqësorë).
Limitet e një pozicioni politik që tenton të shikoj tek federalizmi thjeshtë një teori të shtetit federal, i nevojshëm për të mbështetur objektivat e ideologjive të tjera, por i paaftë për të themeluar një sjellje politike autonome, janë të pranishëm edhe tek hartimet e eksponentëve të Federal Union, lëvizja federaliste angleze e formuar në vitet Tridhjetë. Rasti i Lionel Robbins duket emblematik. Në vitin 1939, tek libri i tij me titull “Shkaqet ekonomike të luftës”, ekonomisti britanik rihedh idenë e Clarence Streit të një bashkimi mbi baza federale të gjithë shteteve demokratike të Botës. Ky projekt dukej jo real, sepse shtetet demokratik ekstra-evropiane, si Shtetet e Bashkuara, nuk kishin një interes konkret të bashkoheshin me popujt e tjerë, qoftë edhe demokratik. Zgjidhja e vetme politikisht e realizueshme ishte, sipas gjykimit të tij, Federata Evropiane. Pas luftës, në klimën e luftës së ftohtë, pozicioni i Robbins, ndryshoj rrënjësisht. Ai tashmë propozonte, në funksionin antikomunist, ndërtimin e një Komuniteti Atlantik. E gjitha kjo, thekson me të drejtë Lucio Levi, se koncepti i Robbins nuk bazohet mbi një interpretim koherent federalist të historisë, në kuadër të cilit bashkimi evropian përfaqëson etapën e parë të një procesi të bashkimit të njerëzimit. Autori anglez duket, se shikon tek historia një betejë të vazhdueshme mes principeve të lirisë, pikërisht të civilizimit perëndimor, e ato autoritar, të përfaqësuar para luftës nga fashizmi dhe pas luftës nga komunizmi. Në një koncept të tillë, Federata Evropiane dhe Komuniteti Atlantik nuk janë gjë tjetër veçse instrumente për të mbrojtur vlerat dhe liberal-demokracisë perëndimore nga sulmi i ideologjive totalitare.
Vetëm me “Manifestin e Ventontene-s”, të hartuar në 1941 nga Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi, dhe në shkrimet e mëvonshme teorike të Spinelli-t, fillojnë të përcaktohen linjat e një ideologjie koherente federaliste. Tek Manifesti, për herë të parë Federata Evropiane konfigurohet si një objektiv politik konkret, ku realizmi mund të bëhet menjëherë më një betejë politike të organizuar. Në bazë të kësaj bindje qëndron një interpretim i ngjarjeve tragjike të Nëntëqindtës, dhe në veçanti të dy luftërave botërore, si shprehje të krizës së pakthyeshme të modelit të shtetit nacional.
Sistemi i vjetër evropian i shteteve, i bazuar mbi ekuilibrin e fuqisë, ka rënë me afirmimin e Gjermanisë si një fuqi agresive dhe absolutisht proponderante, që shtetet e tjera të kontinentit nuk janë më në gjendje ta kundërshtojnë. Rezultati i kësaj rënie kanë qenë dy luftërat botërore, shprehjet e paaftësisë së shteteve evropiane për të vazhduar me bashkekzistuar pa hyrë vazhdimisht në luftë. Kështu, nga njëra anë, ata duhet të bëjnë një organizim politik gjithmonë më të përqendruar dhe autoritar duke cenuar nevojat e lirisë dhe demokracisë; nga ana tjetër janë të detyruar të përfshijnë të gjitha burimet ekonomike dhe njerëzore për forcat ushtarake duke cenuar mirëqenien e qytetarëve të tyre.
Gjithashtu, tashmë duket qartë, se ekzistenca e shteteve nacionale është jo e përshtatshme me progreset e civilizimit. Lufta e Dytë Botërore, ka hapur një krizë revolucionare që do të sjellë, sipas Spinelli-t dhe Rossi-t, në një zgjidhje përfundimtare të problemit. Në fakt, nga kjo krizë mund të dilet vetëm me kalimin e shteteve nacionale. Krijohet kështu një skenar, ku kriza e shtetit-nacion do të bëj politikisht të mundur objektivin e Federatës Evropiane.
Nga ana tjetër, Federata Evropiane nuk është vetëm e mundshme, në këtë fazë historike, por edhe e domosdoshme. Nëse shteti nacional përfaqëson një realitet politik të aftë vetëm për të shkaktuar autoritarizëm, mjerim, luftë, është qartë, se çdo progres i emancipimit njerëzor, në termat e lirisë, demokracisë, paqes, drejtësisë sociale, nuk mund do të mund të gjende zbatim përbrenda tij, por vetëm në hapësirën e Federatës Evropiane. Sipas interpretimit historik të hartuar tek Manifesti, pra, federalizmi përfaqëson një pozicion politik në konformitet me nevojat e fazës aktuale të historisë, të karakterizuar nga kriza e shtetit nacional dhe nga nevoja pasuese për ta kaluar. Për këtë, sipas dy aktorëve, linja e ndarjes mes partive progresiste dhe partive reaksionare nuk është më ajo që ndan demokratët dhe antidemokratët, socialistët dhe antisocialistët, përkundrazi ajo që ndan mbështetësit e Federatës Evropiane dhe mbështetësit e shtetit nacional.
Tek hartimi teorik i Spinelli-t janë të pranishëm të gjithë elementët e një ideologjie federaliste: një finalitet autonom me vlera, paqja; një projekt politik konkret, i artikuluar në një teori aksioni, një program i një beteje dhe një teori e organizimi politik. Megjithatë Spinelli, qoftë për faktin e një pune të pamjaftueshme teorike, si dhe për faktin se ishte më shumë i tërhequr nga aksioni politik sesa nga refleksioni teorik, nuk i zhvilloj në mënyrë të përshtatshme këto elementë. Pastaj, ishte po vetë ai që i mohonte federalizmit karakterin ideologjik, duke nënvizuar se është vetëm një instrument institucional që lejon popullin evropian të ndjek qëllimet e tij. Do t’i takonte më vonë një nxënësi të Spinelli-t, Mario Albertinit ta zhvillonte federalizmin si një ideologji të vërtetë.

Friday, May 7, 2010

Kurajë për ndryshim


Dr. Alban Daci

Kam studiuar historinë e sistemeve politike perëndimore dhe kam vite që vazhdoj të jetoj në Perëndim, por me thënë të drejtën nuk gjej asnjë krahasim apo ngjashmëri me sistemin politik shqiptar si dhe me ngjarjet që ndodhin në Shqipëri. Shqipëria është vendi i çudirave, i absurdeve, i tragjedive, i dëshpërimeve.
Është absurde dhe turpshme në të njëjtën kohë, kur dëgjoj, se deputet e «Opozitës Shqiptare» kanë hyrë në grevë urie, sepse kërkojnë të hapen kutitë e votimit. Po të vëzhgojmë me vëmendje, pjesa më e madhe e deputeteve të Partisë Socialiste, janë po të njëjtat figura që “triumfonin” me «Komitetet e Shpëtimit» për të “shpëtuar” “Shqipërinë e Jugut” nga “Shqipëria e Veriut”, për të Shpëtuar Vlorën nga Berisha, etj. Nuk jam prokuror, as gjykatës dhe Ministër Drejtësie për të hetuar figurat që përbëjnë sot politikën shqiptare si Majtas ashtu edhe Djathtas. Pastaj, nuk është e nevojshme të ngrihen komisione hetime të natyrës institucionale për të hetuar politikanët shqiptarë, sepse është vetë historia që dëshmon ngjarjet. Janë vetë qytetarët që dëshmojnë të vërtetën për aksion që kanë kryer politikanët shqiptarët në emër të luftës për pushtet politik personal.
Megjithatë, ajo që mua më bën të shkruaj dhe të reagoj përmes fjalëve të mia, është fakti, se në asnjë vend demokratik nuk kam parë, studiuar dhe dëgjuar, që persona me një të kaluar misterioze, të paqartë dhe jo transparente, arrijnë të bëhen dhe të ribëhen sa herë duan deputetë, duke premtuar, ashtu siç e parashikon Kushtetuta dhe morali politik, se do të përfaqësojnë zërin, të drejtat dhe aksionet e votuesve (qytetarëve të thjeshtë që i votojnë).
Nuk kam parë dhe dëgjuar ndonjëherë që deputetët shqiptarë, të dalin në protesta për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Nuk mund të gjesh një rast të tranzicionit politik shqiptar, ku një deputet ose disa deputetë/politikanë të kenë hyrë në grevë urie për të përkrahur qytetarët, sepse nuk kanë drita, punë, të ardhura, mirëqenie, etj. Nuk pashë një deputet të hynte në grevë urie, sepse ndodhi Gërdeci, sepse u vranë njerëz të pafajshëm, sepse mbetën pa shtëpi, etj. Nuk kam parë ndonjë politikan apo deputetet të hyjë në grevë urie, sepse të rinjtë e familjeve të thjeshta nuk kanë të ardhme, janë papunë, se nuk mund të shkollohen, sepse nuk kanë mundësi financiare. Anëtarët e familjeve të thjeshta, nëse duhet të mbijetojnë dhe të shpëtojnë nga mjerimi, abuzimi, marrja nëpërkëmbë, neglizhenca, kanë vetëm rrugën e arratisjes nga Shqipëria dhe të degdisjes nëpër vendet perëndimore me shpresën, se do të gjejnë punë, siguri, të ardhura, etj.
Para se të analizojmë faktin, se nëse deputetët e Opozitës kanë të drejtë të bëjnë grevë urie? Le të analizojmë pak se kush janë deputetët shqiptarë sot? Sesi mund të bëhesh deputet në Shqipëri? Në vitet e tranzicionit, Parlamenti shqiptar ka pasur si deputet dy kategori personash: Kategoria e parë, janë “Intelektualët Komunist” të konvertuar në “Demokrat”. Le të shpjegohemi më mirë. Në këtë kategori bëjnë pjesë të gjithë “komunistët servil” të Regjimit, gjatë të cilit nuk kanë qenë në linjë të parë, por kanë qëndruar nën hije të shefave dhe në shërbim të Partisë e të strukturave të saja, nga ku kanë mësuar me mjeshtëri mekanizmat politik të stilit komunist.
Pas rënies së Regjimit me ngjarjet e viteve 90-të, kjo kategori që i kuptonte mirë mekanizmat e politikës, kupton edhe faktin, se Regjimi - të cilit i kishin shërbyer me servilizëm- ishte konsumuar në formë natyrale nga proceset e kohës dhe kështu vendosin me oportunitet për t’u konvertuar në demokrat. Jo vetëm u konvertuar, por ashtu siç kuptohet edhe vetë fjala konvertim, fillojnë të shprehen, duke i thirrur koshencës së “pastër”, se: “Nuk kanë qenë asnjëherë komunistë të vërtetë, që nuk kanë bërë asgjë të keqe në emër të Partisë dhe të gjitha fajet dhe mëkatet për atë periudhe kohe i kishte vetëm një person, ky ishte Enver Hoxha”.
Këto lloj servilësh, me servilizmin e tyre, jo vetëm që kanë qenë më komunist se vet Hoxha, por duke i shërbyer me devotshmëri dhe besnikëri Partisë, kanë siguruar shkollimet më të mira, si brenda vendit ashtu dhe jashtë. Kjo kategori deputetësh, tashmë janë në kthyer në një klasë të vërtetë drejtuese, ku të gjithë të tjerët për të hyrë në jetën politike, duhet të marrin aprovimin, mbështetjen dhe lejen tyre.
Kategoria e dytë e deputetëve shqiptarë është e re përsa i përket kohës që është formuar, por është shumë e fuqishme, sepse ka në dorë pushtetin ekonomik. Gjatë viteve të tranzicionit (ashtu siç ndodh në çdo tranzicion), u krijuan përçarje të thella dhe të dukshme në shoqërinë shqiptare, sepse një kategori e vogël qytetarësh arritën të fusnin në kthetra të gjitha pasuritë dhe aktivitet ekonomike të vendit. Ndërsa pjesa tjetër që përbën shumicën mbeti me të një njëjtat standarde ekonomike dhe jetësore që kishin pasur në periudhën e Regjimit (praktikisht asgjë). Kjo kategori pasi gllabëroj pushtetin ekonomik në vend (me çfarë mënyrash dhe në ç’kushte arriti të zotëroj ekonominë e vendit, nuk e po e komentoj, sepse të gjithë qytetarët e dinë), tashmë po tenton me çdo kusht të hyjnë edhe në jetën politik të vendit për të mbrojtur statusin e tyre të privilegjuar shoqëror. Ky lloj fenomeni mund të themi, se është bërë i dukshëm në tre legjislaturat e fundit. Është për të qeshur, kur shikoj disa deputetë (që vijnë nga bota ekonomike shqiptare), që janë injorant të mirëfilltë, që nuk dinë të flasin, që nuk flasin asnjëherë në Parlament për të përfaqësuar votuesit që i kanë zgjedhur. Kohët e fundit për t’u plotësuar edhe në aspektin kulturor, nuk kanë lënë diploma pa fut në xhep (copa letrash që nuk kanë asnjë vlerë). Kur i pyet se çfarë studimesh kanë kryer? Fillojnë duke treguar, se janë bërë “Doktorë Ligjesh” në Angli, se janë regjistruar dhe diplomuar në universitetet private shqiptare, se kanë mbaruar në 2001 Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Bolonjës, etj. Kur i pyet sesi e kanë mbrojtur titullin “Doktor Ligjesh” në Angli, kur nuk dinë Anglisht? Ata të përgjigjen me “seriozitet”, duke dëshmuar se : “ju kanë thënë kurse të veçanta në gjuhën shqipe”. Kur i pyet sesi mund të jenë diplomuar në Bolonja, kur ishin me aktivitet të plotë politik në Shqipëri dhe pothuajse çdo ditë bënin deklarata shtypi nga Shqipëria? Ata përgjigjen duke thënë se: “Zgjuarsia jonë është paranormale”!
Këto janë kategoritë e politikës shqiptare që bëhen deputet dhe që “përfaqësojnë” dhe qeverisin qytetarët. Jashtë këtyre dy kategorive është plotësisht e pamundur që dikush që i përket botës së vërtetë intelektuale, shoqërisë civile, të kandidoj dhe të arrij të bëhet deputet. Kështu, deputetët shqiptarë nuk zgjidhen nga vetë shoqëria civile (përmes formave demokratike të forumeve partiake), por emërohen nga dy kategoritë që përshkruam mësipërm. Prandaj, kur dikush emërohet nga dikush tjetër dhe nuk zgjidhet në mënyrë demokratike nga vetë votuesit (qytetarët), ai do të përfaqësojnë interesat e atyre që e kanë emëruar dhe jo zërin e qytetarëve të thjeshtë.
Si zgjidhen këta deputet? Unë, nuk dua të bëj asnjë shpjegim personal. Mjafton, të pyesësh qytetarët e thjeshtë dhe ata do ju japin përgjigjen që kërkoni. Për aq sa kam dëgjuar të flitet në ambientet e zakonshme të shoqërisë shqiptare, mund të them, se Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë zgjedhjeve të ndershme dhe plotësisht transparente. Manovrat jo transparente për të fituar me çdo kusht zgjedhjet janë bërë nga të gjitha forcat politike shqiptare. Megjithatë, mund të them, se zgjedhjet e fundit me të vërtetë janë më mirat të mundshme që janë realizuar në këto vite tranzicioni, sepse për herë të parë që nga rënia e Regjimit, pothuajse të gjithë qytetarët arritën të pajisen me dokumente identifikimi (Karta e Identitetit), që ishin të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për procesin e votimit.
Në këtë këndvështrim, greva e urisë e Deputetëve Socialist për hapjen e kutive është hipokrite dhe absurde në të njëjtën kohë. Kjo grevë është hipokrite, sepse Partia Socialiste në historinë e saj, ashtu si edhe forcat e tjera politike shqiptare, nuk përfaqëson transparencën, respektimin e rregullave demokratike në jetën politike dhe shoqërore. Është absurde, sepse ajo është jashtë kohe, tani Shqipëria dhe shqiptarët po kalojnë hapa dhe momente shumë të rëndësishme përsa i përket fazës së Integrimit Evropian. Për këtë arsye, kjo grevë urie, nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve, por interesat personale për pushtet të disa politikanëve.
Jam i sigurt, se shumë politikanë shqiptarë, nuk janë aspak të interesuar për Integrimin e Shqipërisë në Evropë. Ata nuk janë të interesuar për heqjen e vizave, sepse në xhep kanë pasaportat diplomatike (ose të shërbimit) që mund të shkojnë ku të duan pa qëndruar në radhe me muaj të tërë për marrë një vizë, nuk kanë nevojë të përdorin skafet (që ekzistonin dikur) për të kaluar detin, nuk duhet të ecin në këmbë me ditë dhe net të tëra nëpër male me dëborë për të shkuar në Greqi. Ata, nuk janë të interesuar për heqjen e vizave, sepse nuk kanë provuar të kapen dhe të keqtrajtohet nëpër burgjet e fqinjëve, vetëm për faktin se kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për një jetë më të mirë. Nuk janë të interesuar për heqjen e vizave, sepse fëmijët e tyre nuk kanë vite pa ardhur nga mërgimi, por studiojnë në universitetet më prestigjioze të Botës.
Politikanët shqiptarët, nuk e duan Integrimin Evropian të Shqipërisë, sepse luftojnë vetëm për pushtetin politik kombëtar. Ata, e shikojnë qeverive kombëtare, të cilën përpiqet ta përfitojnë me çdo kusht, si diçka që ju përket vetëm atyre, si pronë private të tyren që mund ta blejnë dhe ta shesin sa herë duan. Prandaj, për të realizuar Integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin e Evropian, duhen politikanë që luftojnë për vizionet/idetë evropiane dhe jo për pushtetin politik nacional.
Nga këndvështrimi i «pastër» politik, armike e Shqipërisë Evropiane është klasa politike që përfaqëson pushtetin e qeverisjes dhe të opozitës në vend. Politikanët janë klasa e vetme që ka dicka themelore që mund ta humbas me Integrimin Evropian të Shqipërisë: pozicionet e pushtetit të përfituar përmes betejës politike nacionale.
Kush mund të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve? Unë, ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, pa dallim moshe, bindje politike, fetare, profesioni dhe pozicioni shoqëror, të bashkohemi të gjithë së bashku për të ndërtuar Shqipërinë Evropiane. Le të bashkohemi të gjithë së bashku, për të realizuar një kundër revolucion të vërtetë shoqëror, duke u mbledhur si një lum i vërtetë shoqëror për të kundër-dimostruar para vendit, ku deputet socialist po bëjnë grevën e urisë për pushtetin e tyre personal politik.
Ne duhet të luftojmë me mjete paqësore dhe demokratike për të krijuar me të vërtetë një shoqëri demokratike shqiptare. Duhet të luftojmë, jo vetëm për një shoqëri demokratike nacionale, por për të ndërtuar një Shqipëri Evropiane. Tashmë, shumë probleme që kanë të bëjnë me demokracinë, drejtësinë sociale, ekonominë, nuk mund të zgjidhen më vetëm brenda dimensionit të shtetit nacional. Mjafton të përmendin rastin e krizës shqiptare të 97-tës, krizën aktuale ekonomike të Greqisë si dhe përsa i përket procesit të demokratizimit që kanë kaluar kryesisht vendet e Evropës Jug-Lindore që trashëgonin një të kaluar autoritare. Mendoni për një çast sa hapa do të kishte bërë përpara demokracia në vendin tonë, sikur të mos kishte qenë objektivi i për t’u Integruar në Evropë? Prandaj, ne Shqiptarët, duhet të bashkohemi për të realizuar demokracinë e vërtetë me institucione të shëndosha demokratike. Le të punojmë për Integrimin e plotë të vendit tonë në Evropë, sepse shumë probleme tonat nuk gjejnë zgjidhje në hapësirën e brendshme të shtetit, por në nivel mbi-kombëtar, përmes institucioneve dhe bazave juridike të krijuara nga interesat e përbashkëta të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Boll kemi qëndruar në heshtje, le të zbulojmë tek karakteri ynë virtytin e kurajës për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta. Heshtja jonë simbolizonin dorëzimin tonë moral. Prandaj, ne duhet ta thyejmë një herë e përgjithmonë këtë heshtje përmes forcës së kurajës, për të ecur përpara si vend i zhvilluar dhe i modernizuar. Heshtja jonë i shërben një pakice që është kundër interesave tona, kurse kuraja për të reaguar simbolizonin interesin tonë të përbashkët për të jetuar në demokraci, për t’u Integruar në Evropë. Unë, në të ardhmen e afërt shikoj një Shqipëri ndryshe nga ajo që ka qenë deri sot dhe këtë do e realizojmë me të vertete, vetëm falë kurajës tonë të përbashkët për të sfiduar atë pakice anti-shqiptare që gjatë këtyre viteve ka livadhisur mbi kurrizin tonë duke shkelur çdo ditë dinjitetin dhe të drejtat tona themelore. Nëse do të jemi të gjithë së bashku, një dhe të pandarë, atëherë fatet tona do t’i kemi vetë ne dorë dhe askush nuk do të guxoj të tallet me jetën tonë dhe me të ardhmen e fëmijëve tanë.

Sunday, May 2, 2010

Ne shqiptarët duhet të njohim veten


Dr. Alban Daci

Mjafton të lexosh gazetat ditore shqiptare për të kuptuar, se çfarë shkruan njëra, nuk shkruan tjetra. Për të njëjtin informacion apo ngjarje që ka ndodhur, ka një interpretim të veçantë dhe të ndryshëm, ku asnjëri nuk është i vërteti dhe reali. Për shembull, kohët e fundi vazhdon të jetë një argument shumë i përfolur, fakti i liberalizimit të vizave. Në një gazetë lexojmë, se liberalizimi vizave është i sigurt dhe do të bëhet brenda viti 2010, por menjëherë sapo lexojmë një gazetë tjetër shikojmë, se liberalizimi i vizave nuk do të bëhet brenda vitit 2010-të. Pra, në shtypin shqiptar është e vështirë të gjesh një informacion të vërtetë, ta pa shtrembëruar dhe të pa komentuar sipas interesave të caktuara.
Në pjesën më të konsiderueshme të shtypit shqiptar, nuk e gjen dot të vërtetën, por ideologjinë e të vërtetës. Pra, që kur Shqipëria është bërë shtet i vërtetë, mund te themi, se shqiptarët nuk janë ushqyer asnjëherë me të vërtetën, por me ideologjinë e të vërtetës. Siç e dimë, ideologjia ka dy kuptime, kuptimin e “dobët” si sistem vlerash/besimesh që përdoren në betejën politike si dhe kuptimin e “fortë” që rrjedh nga koncepti marksist i ideologjisë si «koshencë false». Për fat të keq, çdo gjë në Shqipëri është e politizuar, dhe për rrjedhojë mund të themi, se e vërteta nuk ekziston ose nëse ekziston është e venitur, vagët dhe vetmuar.
Po të lexosh shtypin shqiptar, arrin të dallosh dy lloj mendimesh mbizotëruese: mendimin servil profesionist që i bën ideologji servile subjektit politik që përfaqëson si dhe mendimin servil (që përpiqet me çdo kusht të zër statusit e servilit) amator. Duke qenë, se në arenën e opinionit shqiptar mbizotërojnë këto dy kategori mendimesh, mund të themi, se shqiptarët çdo ditë mashtrohen dhe nuk informohen. Me dashje dhe në funksion të politikës dhe të interesave të saja, shumë procese shoqërore anashkalohen, lihen në harresë ose nuk përmenden fare, sepse nuk bëjnë pjesë tek interesat e politikës shqiptare dhe për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë as edhe tek interesat e servilëve të politikë shqiptare. Për shembull, pothuajse në të gjithat gazetat shqiptare (fatmirësisht ka akoma ndonjë përjashtim të vogël), nuk gjen ndonjë artikull apo analizë që të ketë me të vërtetë në qendër të vëmendjes qytetarin, hallet dhe problemet e tij. Problemet e qytetarit thjeshtë përdoren nga “mendimtarët servil” për t’i vënë në shërbim të interesave të spektrave politik që përfaqësojnë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, pothuajse të gjitha gazetat shkruajnë: “Rama thotë se votat janë vjedhur dhe prandaj kutitë duhet të hapen”; “Berisha thotë votat nuk janë vjedhur prandaj kutitë nuk hapen”. Në asnjë gazetë nuk kam parë të shkruajnë, se në Shqipëri, qytetarët janë thjeshtë vegla të politikës, se vota e tyre nuk ka rolin që duhet të ketë vërtetë, por ajo thjeshtë është si një mall që shërben për partitë për ta blerë dhe për ta shitur sipas nevojës që pushteti ua kërkon.
Sa rëndësi ka vota, nëse ajo nuk përfaqëson interesat dhe qëllimet e votuesve? Nëse kjo përfundon thjeshtë në një mekanizëm të mirëfilltë të mbajtjes apo përfitimit të pushtetit nga politikanët, ajo nuk ka asnjë vlerë dhe mund të konsiderohet si inekzistuese. Kështu edhe pse vidhet nuk ka asnjë lloj efekti, sepse ajo ka humbur funksionin përzgjedhësh dhe përfaqësues që duhet të ketë në një demokraci të vërtetë dhe ka veshur efektin e një malli që shitet e blihet nga politikanët sipas nevojave që pushteti ua kërkon.
Përderisa në Shqipëri ka mbizotëruar gjithmonë ideologjia e kontrolluar dhe e zhvilluar nga burokracia e centralizuar ose më saktë nga klasa politike që shtiret nëpërmjet «koshencës false» se përfaqëson interesat e përbashkëta të gjithë qytetarëve. Mund të themi, se jo vetëm tek interesat që lidhen me politikën (çdo proces shoqëror është politikë) por edhe tek interesat e tjera të karakterit shoqëror, e vërteta nuk paraqitet tek qytetarët siç është, por si duhet të jetë. Për shembull, pothuajse, në asnjë gazetë nuk parë të flitet për diskriminimin e hapur që u bëhet shqiptarëve të Veriut nga shqiptarët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Me ngjarjet e vitit 97-të, që mund të analizohen në shumë këndvështrime, por që në asnjërin nuk do të mësohet e vërteta, mund të themi, se uniteti shqiptarë pësojë një çarje jo të vogël. Shqiptarëve të Veriut filluan t’iu visheshin nofka si “malok”, “çeçen”, “të trashë”, “që nuk flasin shqip” ... e kështu me radhë.
Më kujtohet si sot, kur sapo kisha ardhur me shtëpi në Tiranë dhe isha regjistruar në klasën e tetë në një shkollë të kryeqytetit, dhe një mësues i imi i asaj kohe që ishte edhe nën drejtor i shkollës, nga momenti që e mori vesh, se vija nga një zonë Verilindore e Shqipërisë, filloj të më vinte në lojë duke u përpjekur të më tallte në dialektin tim. Gjithashtu, nuk mund të harroj edhe një rast tjetër, kur një nga mësueset e mia, gjatë një ore mësimi ju thotë nxënësve: “A nuk vjen turp që të vij një “malok” nga malet dhe t’ua kaloj juve”?.
Për sa u përket marrëdhënieve mes nxënësve, kuptova se ishte bërë më se normale që nëse nuk ishe nga Jugu apo nga Shqipëria e Mesme ishe automatikisht “malok”, “çeçen”, që gjuha jote ishte e pakuptueshme... e kështu me radhë. Në asnjë gazetë nuk kam lexuar të flitet për një fenomen të tillë, ose më mirë për një diskriminim të mirëfilltë që ju bëhet qytetarëve Verior. Unë, mendoj dhe propozoj, se përdorimi i termave “malok”, “çeçen”, duhet të vendoset me vendim gjykate, se përbën diskriminim dhe për rrjedhojë, kush e përdor për një qëllim të tillë duhet të përballet me ligjin. Mjafton sot, në 2010 të bësh një gjiro në Tiranë dhe menjëherë mund të vesh re, se ka shumë qytetarë (unë do t’i quaja pseudoqytetarë) që e përdorin normalisht përbuzjen dhe fyerjen kundrejt qytetarëve shqiptarë që janë nga Veriu.
Ne flasim për «Bashkim Kombëtar», kur akoma kemi një diskriminim të fortë të brendshëm, kur Veriorët akoma nuk e gjejnë vetën e tyre në gjuhën e sotme zyrtare, ku dialekti i tyre interpretohet me pa të drejtë sikur të ishte gjuhë ufosh, duke harruar, se gjuha e tyre ka qenë gjuha e parë shqiptare e shkruar. Mund të themi, se Shqipëria e gjeti vetën e saj, pas rënies së Regjimit, të ndarë në dy zona: ajo Jugor e zhvilluar me infrastrukturë, me arsim dhe me zhvillim ekonomik dhe zona Veriore e harruar në mjerim, pa infrastrukturë të përshtatshme për kohën dhe me një arsim të përqendruar kryesisht në drejtimet e bujqësisë dhe të arsimit të mesëm të specializuar.
Për sa i përket infrastrukturës, mund të themi, se një kontribut të veçantë për “Bashkimin e Shqipërisë” po e jep “qeveria Berisha”, e cila me rrugët që po ndërton si: Durrës-Morinë, Rruga e Arbrit, rruga Fier-Vlorë, Vlorë-Himarë, Tiranë-Shkodër, si dhe me mjaft segmente të tjera ndërlidhëse, po thyen barrierat natyrore të shqiptareve, duke realizuar kështu jo vetëm zhvillimit ekonomik kombëtar, por duke rritur edhe ndjenjën kombëtare përmes rritjes së kontakteve të drejtpërdrejta njerëzore.
Disa mund të pretendoj tek «Bashkimi i Shqiptarëve» duke marrë si shembullin, faktin e bashkimit të Gjermanisë. Mendoj, se janë dy shembuj krejt të ndryshëm. Gjermania u nda pasi humbi luftën e Dytë të bërë nga Hitleri, i cili mendonte të bënte bashkimin e forcuar evropian nën drejtimin dhe shfrytëzimin e “Gjermanisë së Madhe”. Pas mbarimit të luftës së Dytë, Gjermania doli e humbur dhe u nda në dy republika: Republika Federale Perëndimore e kontrolluar nga Anglia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo Lindore (Republika Demokratike) e pushtuar, kontrolluar dhe administruar nga Bashkimi Sovjetik. Kjo ndarje ishte shumë therëse për popullin gjerman, sepse ndau Berlinin në dy pjesë, ndau familjet, ndau në dy pjesë një Komb që kishte pasur një identitet të fortë kombëtar.
Rasti i shqiptarëve, është krejtësisht ndryshe, sepse kanë kaluar shumë breza që kur ishin të bashkuar (pushtuar nga perandoria Otomane). Për rrjedhojë, nuk është se janë ndarë familjet, motrat nga vëllezërit, motrat nga motrat, të afrimit nga të afërmit. Kjo do të thotë, edhe pse jemi një Komb (fakt që nuk mund ta mohoj askush) nuk kemi lidhje të drejtpërdrejta gjaku me njëri-tjetrin. Përshembull, kosovarët gjatë kohës që kanë qenë në Federatën Jugosllave edhe pse janë përpuqur të ruajnë me fanatizëm identitetin e tyre shqiptare, mund të themi, se kanë formuar një “identitet” të ndryshëm shqiptarë nga ai ynë. Për këtë mjafton të marrin si shembull rastin e gjuhës.
Disa intelektual të rinjtë italian, që kishin luftuar në luftën e Dytë për Regjimin Fashist, por që më vonë kishin kaluar me lëvizjen e Rezistencës, menjëherë pas mbarimit të luftës, do të shkruanin, se periudha e regjimit i kishte bërë ta urrenin Italinë. Ato, e argumentonin këtë urrejtje duke thënë se: “Regjimi i kishte detyruar kundër koshencës së tyre, të bëheshin makina vrasëse”. Duke pasur parasysh këtë argument lindin disa pyetje që kanë të bëjnë me ndjenjën e shqiptarëve për Shqipërinë. A ka pasur momente që shqiptarët e kanë urryer faktin e të qenit shqiptarë? A janë të interesuar shqiptarët dhe sidomos të rinjtë për çështjet kombëtare si ajo e “Bashkimit”? Për t’iu përgjigjur pyetjeve do të jap disa shembull konkret. Nuk besoj shumë, se i riu që sapo ka mbaruar arsimin e lartë në një vend perëndimor, vendoset të kthehet në vendin e tij dhe kur paraqitet në Ministrinë e Arsimit për të bërë kërkesën për punë, i thonë punonjësit e ministrisë: “Se nëse nuk njeh ndonjë kokë të madhe ose deputet është kotë që plotëson formularët, sepse punë nuk do të gjesh”. Kjo histori është e vërtetë dhe i ka ndodhur një të riu, të cilit punonjësit e ministrisë ja kanë marr formularin e kërkesës për punë dhe janë kanë hedhë në kosh, duke argumentuar, se përderisa nuk njeh ndonjë politikan të njohur është e kotë se punë nuk gjen. Pra, diploma, arsimi që kishte marrë në Perëndim si dhe sakrifica që kishte bërë, nuk kishin asnjë rëndësi për gjetjen e vendit të punës. Unë, mendoj, se riu që ka përjetuar një eksperiencë të tillë, si dhe shumë të rinjtë të tjerë që përjetojnë momente të tilla, jo vetëm që nuk janë të interesuara për “çështjet kombëtare”, por mund ta urrejnë faktin e të qenit shqiptar, sepse këtë fakt e identifikojnë me Shtetin (pushtetin politik) që i përfaqëson. Sa interesuar është një i ri për “çështjen kombëtare”, që ka më shumë se një vit që ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë dhe nuk ka gjetur punë? Ai nuk ka gjetur punë, por për faktin, se është një njeri pa miq “të fortë”, me pa përkatësi politike të deklaruar dhe se vjen nga një zonë e thellë Veriore, aty ku familja e tij vazhdon të jetoj në kushte shumë të vështira ekonomike. Këtij të riut, “Shqipëria” deri tani, edhe pas shumë sakrificave që ka bërë për të kryer arsimin e lartë, nuk i ka ofruar asnjë të ardhme që meriton dhe për rrjedhojë ai ka të drejtë ta urrej atë.
Sa shumë mund të jetë i interesuar për “Bashkimin Kombëtar”, një emigrant që është larguar nga Shqipëria, sepse aty jetonte në skamje të vërtetë dhe ka vite që jeton në mërgim, larg familjarëve të tij, për një të ardhme më mirë? Emigranti ka të drejtë morale që të mos jetë farë i interesuar për Shqipërinë, sepse ajo nuk i ka ofruar asgjë.
Ne shqiptarët para, se të kërkojmë të realizojmë ëndrra shekullore të karakterit kombëtar, si fillim duhet të njohim mirë veten tonë, politikën që përfaqëson Shtetin tonë. Ne nuk e njohim mirë vetën tonë, sepse në vitet e fundit për shkak të traumave sociale që kemi kaluar si qytetarë, nuk kemi pasur mundësi t’i dedikohemi arsimimit të vërtetë, të thellojmë dituritë tona përmes literaturave moderne perëndimore. Për këtë arsye mund të themi, se në Shqipëri mungon e vërteta, ajo personifikohet me disa sharlatan, të cilët me pa baza akademike (ose me baza ta varfra) shkruajnë dhe japin këshilla sikur të ishin mjeshtër të vërtetë, sikur të ishin të mbinatyrshëm. Nga padituria, shqiptarët para regjimit komunist, për çdo fenomen që nuk ishin në gjendje ta shpjegonin thoshin e dinë “Zoti”, dhe në këtë optikë si prifti ashtu edhe imami ngaqë e përfaqësonin atë ishin kthyer në mite të diturisë. Ndërsa, gjatë regjimit komunist, përdorej shumë shprehja e din “Partia”. Tani, nuk thuhet më kështu, por disa sharlatan që kanë kohë dhe mundësi të lexojnë pak hyrje në literaturë perëndimore shkruajnë duke e keqpërdorur atë për të dhënë këshilla jo të sakta. Kjo minorancë e “privilegjuar”, paraqitet tek qytetarët me pushtetin e magjistarit që falë “diturisë” është në gjendje të zgjidh problemet e të tashmes dhe të parashikoj misteret e të ardhmes.
Nuk jam kundër “Bashkimi Kombëtar”, por mendoj, se tani për tani, shqiptarët nuk janë të përgatitur për një bashkim të tillë, të natyrës së mirëfilltë nacionaliste. Klasa politike shqiptare nuk është në gjendje të zgjidh shumë probleme të “brendshme” dhe jo më të marr në supe përgjithësi të tilla. Mendojeni, për një çast sikur “Bashkimi i Shqiptarëve”, i sapo realizuar, akoma është i brishtë, për shkak të politikës së papërgjegjshme të tronditej përsëri nga një 97-të tjetër. Do të kishte pasoja shumë të rënda dhe të parikuperueshme për të gjithë.
Zgjidhja më e mirë për të gjithë shqiptarët do të ishte “Bashkimi i heshtur funksional”. Çdo të thotë kjo? Do të thotë, se shqiptarët fillimisht duhet të arrijnë një bashkim social-ekonomik dhe pastaj atë kulturor. Pra duhet të rrisin bashkëpunimin e tyre në të gjitha fushat ekonomike, duhet të rrisin kontaktet ndërmjet tyre, duhet të rrisin numrin e martesave ndërmjet tyre, duhet të rrisin forcat e tyre për të realizuar Integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Nëpërmjet Integrimit Evropian, shqiptarët jo vetëm kanë përfitime të natyrës ekonomike, por mund të mbrojnë më mirë edhe identitetin e tyre. Mjafton të përmendim faktin, se shqiptarët për një copë leje qëndrimi, e kanë ndryshuar emrin nga Ilir në Jorgos. Në momentin që hyjmë në Evropë, identiteti ynë respektohet njëlloj si identitetet e tjera evropiane.
Gjithashtu, duhet të rrisim nivelin arsimor kombëtar, të studiojmë mirë proceset politike, të kuptojnë rëndësinë e votës, të përfaqësimit, artin e qeverisjes. Me pak fjalë duhet të rrisim demokratizimin e vendit, dhe ky proces ndodh vetëm nëpërmjet rritjes së kulturës politike. Nëse, rrisim kulturën tonë politike, atëherë politikanët e sotëm nuk do të na merrnin më për njerëz të paditur. Ata, nuk do të kishin më guxim të talleshin me ne, pasi ne do të ishim në gjendje t’i kuptonim aksionet e tyre politike dhe do ju jepnim përgjigjen e merituar. Ne duhet të punojnë për të shkurtuar distancën e madhe që është krijuar ndër vite, mes institucioneve dhe qytetarëve. Tashmë, as institucionet nuk identifikohen me qytetarët, por as qytetarët nuk i gjejnë interesat e tyre tek institucionet.
Për të realizuar ëndrrat tona të përbashkëta, duhet të njohim mirë veten tonë, sepse vetëm kështu arrijnë të distancohemi nga klasa politike aktuale, nga sharlatanët e të vërtetës, nga “mendimtarët servil”. Në të gjithë duhet punojmë, duhet të japin kontributin tonë për të realizuar të ardhmen tonë. Nëse, politika aktuale nuk përfaqëson ëndrrat dhe qëllimet tona, ajo duhet të zëvendësohet me njerëz të përgatitur dhe mbi të gjitha me njerëz që e duan Shqipërinë, që i duan shqiptarët dhe që aksionet e tyre politike i vendosin në shërbimin e të gjithëve.