Saturday, May 16, 2009

Durrës-Morinë, rruga që përfaqëson të ardhmen tonë


Dr. Alban Daci
Botuar me 18.05.2009 tek gazeta "55" dhe
me 19.05.2009 tek gazeta "Standard", me 18.05.2009 tek gazeta "Bota Sot"

Në Shqipëri, po ndërtohet një rrugë me interesa të mëdha kombëtare, me vlera të larta për integrimin ekonomik, politik, për sigurinë, stabilitetin, paqen, demokracinë, prosperitetin që do nxis zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale mes popujve të Ballkanit.
Kjo rrugë falë dy skajeve të trajektores që përshkon, me të drejtë quhet ndryshe edhe rruga Durrës-Morinë, sepse lidhë këto dy skaje mjaft të rëndësishme, që janë përkatësisht Durrësi, porti më i madh në Shqipëri (në ta ardhmen e afërt kam përshtypjen se do të jetë një ndër portat më të rëndësishme në Mesdhe, fal pozicionin gjeostrategjik që ka) si dhe Morinën, që ka simbolizuar në të kaluar e afërt ndarjen e padrejtë dhe të dhimbshme shekullore të popullit shqiptar.
Me këtë artikull, do të përpiqem si shqiptar i ushqyer me kulturë dhe formim intelektual perëndimor, por jo si përfaqësues apo i implikuar në ndonjë subjekt/ent politik shqiptar, në pozicion krejtësisht të pavarur politik, të shpjegoj rolin e kësaj rruge duke e analizuar në spektrin e interesit kombëtar, që është i lidhur drejtpërdrejt edhe me interesin e ngjarjeve ndërkombëtare në rajon.
Kjo rrugë është me mjaft rëndësi si në planin kombëtar dhe në atë rajonal për disa arsye:

1. Për zhvillimin ekonomik të vendit tonë, sepse ndërtimi i kësaj rruge ka punësuar qindra punëtorë që janë banorë kryesisht të zonave të thella veriore, ku kalon edhe trajektorja e kësaj rruge. Para se të fillonin punimet e rrugës, banorët e këtyre zonave të thella veriore nuk kishin asnjë mundësi reale punësimi, dhe për rrjedhojë ndodheshin në kushte ekonomike familjare shumë të vështira deri në një skamje të vërtetë.
Gjithashtu, ndërtimi i kësaj rruge, ka një rol mjaft të rëndësishëm në modernizimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë, sepse Shqipëria bëhet një aktore e rëndësishme e tregtisë ndërkombëtare në rajon edhe më gjerë, ku nuk do të jetë vetëm dipendente siç mund të ketë qenë deri tani, por një partnere indipendente me fuqi gjithmonë e në rritje.
Falë kësaj rruge, Shqipëria do të ketë një rol mjaft të rëndësishëm në menaxhimin dhe promovimin e tregtisë transitore, duke shfrytëzuar portet e saja që janë të lidhura me portet e tjera të Mesdheut si dhe trajektoren e kësaj rruge me parametra moderne për të realizuar një lidhje të shpejt dhe të sigurt mallrash dhe personash me Ballkanin Perëndimor dhe me Evropën Qendrore.
Kjo rrugë do të ketë rol shumë të rëndësishëm edhe për të promovuar Shqipërinë në turizmin Evropian dhe Botëror, ku popuj të ndryshëm, falë infrastrukturës moderne rrugore, do të kenë shumë më shumë mundësi reale, të zbulojnë pëllëmbë me pëllëmbë të gjitha bukuritë e mrekullishme që vendi ynë ka.

2. Kjo rrugë simbolizon demokracinë e vërtetë në vend. Pak personave ju ka shkuar ndërmend, se ndërtimi dhe realizimi i kësaj vepre mjaft të rëndësishme për infrastrukturën e vendit tonë, ka një rol të rëndësishëm edhe për të përforcuar dhe çuar me hapa përpara demokracinë në vend. Çdo vend edhe pse ka aplikuar formën demokratike të qeverisjes, nëse ka një infrastrukturë jo moderne dhe bashkëkohore nuk mund të konsiderohet Demokraci liberale,
Mungesa e infrastrukturës moderne, pengon pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen politike, dhe bën që pakicat e legjitimuara të realizojnë vetëm strategjitë e tyre politike, të cila në shumicën e rasteve nuk përfaqësojnë interesin e përgjithshëm qytetarë.
Kjo rrugë, ndihmon/përshpejton realizimin e një ndër faktorëve më të rëndësishëm të funksionimit të demokracisë, atë që quhet përfshirje kolektive në vendimmarrje politike dhe hartimin e strategjive të përbashkëta me interes të përbashkët duke parandaluar në të njëjtën kohë atë që quhet faktori përjashtues, që deri tani për shkak të limiteve që natyra na kishte ofruar, jo vetëm ka qenë i pranishëm, por ka qenë edhe aktiv dhe i pranuar në formë de facto si i aplikueshëm.
Falë kësaj rruge, të gjithë banorët e zonave të thella veriore , që më parë kanë pasur mungesë informacioni, shkollimi, komunikacioni, zhvillimi ekonomik, varfëri, që nuk kanë ndjerë forcën e ligjit/shtetit (në disa raste për arsye nevoje, kanë aplikuar forma primitive demokratike për të gjetur zgjidhje për problemet e tyre shoqërore), tashmë do të jenë qytetarë modern në të gjitha aspektet, sepse të drejtat e tyre të aplikuara në terren do të zgjerohen shumë më shumë se më parë, duke u nisur që nga e drejta e lëvizjes së lirë, që do të bëhet me e thjeshtë dhe më e shpejtë, jo vetëm me zonat e tjera të Shqipërisë, por edhe më gjerë.

3. Kjo rrugë ka vlera të jashtëzakonshme kombëtare, sepse përfundimi i saj është dhe inaugurimi i bashkimit të shqiptarëve jo vetëm shpirtërisht siç ka qenë gjithmonë pa pësuar lëkundje ndër vite, por edhe fizikisht, ekonomikisht, politikisht dhe ndoshta në të afërmen e shpejtë edhe ushtarakisht.
Gjermania u bashkua, pasi u shemb muri i Berlinit, i cili ishte kthyer një barrikadë e vërtet fizike, politike, ushtarake dhe ideologjike që ndalonte çdo lloj kontakti personal mes gjermanëve lindor dhe atyre perëndimorë, përjashtuar rastet kur ishin të veshur me pektën e burokracisë për të përfaqësuar shtetin dhe interesa e tij.
Mendoj se: Shqipëria dhe Kosova edhe po të kishin arritur të bashkoheshin më parë mbi bazën e një marrëveshje politike legjitime dhe demokratike që do të njihej si e tillë edhe nga e Drejta Ndërkombëtare dhe kjo rrugë nuk do të ishte ndërtuar, ato nuk do të mundin të realizonin një bashkimi të plotë dhe uniformë, sepse për shkak të distancës dhe relievit malor, do të kishte mos koordinim koherent të pushtetit mes qendrës dhe periferive.
Në një situatë të këtillë, do të rritej gradienti i forcës, që është rritja e taksës së forcës për çdo njësi distance që largohet nga qendra drejt periferisë. Nëse terreni është edhe malor në të njëjtën kohë, kjo taksë dyfishohet derisa forca qendrore dobësohet aq shumë, saqë nuk ka më asnjë efekt mbi periferinë. Kjo rritje takse jo vetëm nuk e ndihmon dhe e forcon bashkimin, por krijon mundësi shkëputje duke krijuar entitet të pa kontrolluar dhe administruara nga qendra.
Prandaj, në këtë drejtim kemi pasur një ndër limitet më të vështira të bashkimit kombëtarë, atë që quhet pengesa e natyrës (kufijtë e natyrës) që më parë për shkak politikave që kemi pas ndjekur si dhe zhvillimit ekonomik dhe teknologjik që dispononim, nuk do të mundnim kurrë ta mposhtnim.
Besoj, se Kosova dhe Shqipëria sipas rendit aktual të marrëdhënieve moderne ndërshtetërore dhe sipas optikës aktuale të analizës së politikave të jashtme, janë të bashkuar me inaugurimin e kësaj rrugë, pasi “kufiri” administrativ që i ndan nuk ka kuptim dhe forcë parandaluese dhe përçarëse si dhe të vetmin kufi real të natyrës që kishim e mposhtëm me politikat e zhvillimit kombëtare. Falë kësaj rruge, një qytetar nga Tirana, Vlora, Durrësi, Elbasani dhe nga e gjithë Shqipëria për pak orë udhëtimi me makinë në një rrugë me standarde evropiane, mund të shkoj në Prishtinë qoftë edhe vetëm për një kafe me miqtë. Gjithashtu, çdo qytetar i Prishtinës apo i gjithë Kosovës mund të vij në Shqipëri dhe në plazhet e mrekullueshme që ajo ka, për të pushuar vetëm në fundjavë nëse është i zënë me punë dhe nuk ka kohë për më shumë ditë pushimesh.

4. Kjo rrugë ka vlera të jashtëzakonshme për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, sepse rrit kontaktet ekonomike, politike ndërmjet shteteve/kombeve, duke rritur mes tyre edhe interdipendencën ekonomike, e cila simbolizon rritjen e nivelit të shkëmbit tregtar ndërveti. Për rrjedhojë shtetet e rajonit do të mund t’i sigurojnë të ardhurat për të cila kanë nevojë falë shkëmbimit tregtar, pa pasur nevojë për t’i siguruar me konflikte të nxehta, duke paguar kosto mjaft të shtrenjta dhe të pa nevojshme.
Sipas Rosecrance: “ shkaku për të ndërmarr një luftë është i munguar nga momenti që shtetet kuptojnë ose njohin se mund ta bëjnë më mirë zhvillimin ekonomik të brendshëm, të mbështetur nga tregjet globale për prodhimet e tyre, se sa duke kërkuar për të pushtuar dhe asimiluar porcione të gjëra territoresh”.

Për të gjitha këto arsye, rruga Durrës-Morinë, është dhe do të jetë një ndër veprat më të rëndësishme të Shqipërisë për shekullin që sapo kemi nisur. Kush do qoftë ai që nuk e vlerëson kështu këtë vepër, ose të paktën me optikë pozitive, para së gjithash nuk është shqiptar, nuk e don Shqipërinë si dhe paqen dhe stabilitetin në rajon, por përfaqëson ato interesa të errëta që gjithmonë kanë dashur një Shqipëri të “vogël” dhe të “lodhur”, dhe e kanë parë luftën në rajonin e Ballkanit si një mundësi për të shfrytëzuar popujt të tjerë, për tu rrëmbyer territoret e tyre të legjitimuar nga zoti.
Jam i sigurt, se nëse nuk do të ishte maxhoranca aktuale si dhe forca dhe roli i liderit të saj, kjo rrugë ndoshta nuk do të ishte ndërtuar asnjëherë, ose të paktën në një të afërt të mundshme.
Ndërtimi i kësaj rruge ka ndryshuar njëherë e mirë politikën e jashtme që Shqipëria ka pasur gjer tani, nga një vendi që preferonte të qëndronte i “vogël” dhe i strukur në strofullin e tij, pa qenë i interesuar për fenomenet politike, ekonomike, ku ishte përfshirë rendi i marrëdhënieve ndërshtetërore, në një zonjë të vërtetë në nivelin ndërkombëtar që falë integrimeve politike-ushtarake që ka realizuar në zonën atlantike, jo vetëm nuk e ka problem të garantoj sigurinë e saj, por të jetë edhe një faktor i rëndësishëm për promovimin dhe ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit